Itali, 23 qershor 2014 – Policia në ishullin italian të Siçilisë beson se ka zbardhur një vrasje mafioze, të ndodhur në vitin 1909. Sipas BBC, Joe Petrosino, një oficer policie në Nju Jork, u qëllua për vdekje gjatë një misioni në ishull për të mbledhur prova.

Zbulimi koincidon me arrestimin e 95 anëtarëve të dyshuar të dy klaneve, të përfshirë në zhvatje në kryeqytetin e ishullit, Palermo. Një nga të arrestuarit është regjistruar duke thënë se xhaxhai i babait të tij ka kryer vrasjen.

Domenico Palazzotto, u përgjua duke i thënë një kolegu se “xhaxhai i babait tim, i quajtur Paolo Palazzotto, vrau policin në Palermo me urdhër të Cascio Ferro”. Ferro ishte një nga shefat e mafias Cosa Nostra, e cila shtriu veprimtarinë e saj në SHBA. Vrasja e oficerit Petrosino më 12 mars shokoi Nju Jorkun.

I përshkruar nga FBI si një prej detektivëve të parë në Nju Jork që luftoi krimin e organizuar, ai ishte një emigrant italian, që kishte shënjestruar një grup mafioz italian, të quajtur Dora e Zezë. Petrosino punonte zakonisht i maskuar, njëherë si lypës i verbër, njëherë si punonjës i pastrimit apo si inspektor shëndeti.

Por gjatë një misioni sekret në Siçili, ai u qëllua katër herë në rrugë, ndërkohë që priste të takonte një informator. Një grup njerëzish ishin dëshmitarë të ngjarjes, pasi po prisnin tramin. Askush nuk u dënua për vrasjen e Joe Petrosino.

Edhe pse Cascio Ferro dhe Paolo Palazzotto u arrestuan pas vrasjes, u liruan për mungesë të provave.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/