Durrës, 23 qershor 2014 – Në Shqipëri, historia e diplomave dhe gradave shkencore false filloi rreth vitit 1996, sepse më parë maksimumi falsifikohej dëftesa e maturës kryesisht nga persona me 8-vjeçare, që donin të visheshin policë. Bosi i fajdeve, Vehbi Alimuça, ndonëse një copë kapter me shkollë te mesme, u bë Doktor Shkencash “Honoris Causa” në një universitet katundi në Rumani. Më vonë në Shqipëri u hapën universitetet private, që si fillim jepnin dokumenta bejcëlëri si simitet, që nxjerr bukëpjekësi nga furra, pastaj vazhduan me diplomat mastër për t’u kurorëzuar me doktoraturat, ku konkurojnë denjësisht edhe me universitetet shtetërore, për plagjiaturë, nivel të ulët shkencor e favorizime të hapta.

Në opinion shqiptar u diskutua si plagjiaturë dhe e vjedhur madje edhe tema e doktoraturës e Spikeres së Parlamentit, vetë zonjës Topalli. Gjithsesi rasti më tipik ishte ai i Kryebashkiakut, daullexhi të Kamzës alias “Shamikuqes’, që u bë Doktor shkencash me plagjiaturë flagrante. Vetëm ndërrimi i pushtetit politik, bëri që Xhelal Mziut të Kamzës t’i anullohej doktoratura nga kryeministria, si plagjiaturë e pastër. Në këtë garë të pështirë falsiteti shkencor nuk mbetet pas së djathtës edhe e majta shqiptare. Deputetë e ministra gëzojnë diploma “Kristali”, apo të Universitetit të Ohrit, të Van Der Shtylit e kështu me rradhë. Shqipëria u bë e famshme për të keq, kur në Itali plasi skandali i “Qoftes”, djalit të politikanit italian Umberto Bossi.

Në drejtim të falsitetit shkencor, gjithsesi të paktën sipas prestigjozes “Reuters”, Serbia po ia kalon Shqipërisë edhe në këtë lëm. Ministri i brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanovic (ekuivalenti i Saimir Tahirit dhe Flamur Nokës në Shqipëri) u vu nën sulmet e një grupi profesorësh dhe akademikësh serbë për plagjiaturë dhe falsifikim teze të doktoraturës. Mica Jovanovic, themeluesi i universitetit privat serb “Megatrend University”, ku ministri kishte mbrojtur doktoraturën, i doli në mbrojtje ministrit duke sulmuar shkencëtarët serbë, që guxonin të dyshonin për plagjiaturë ministrin dhe t’i nxirrnin namin e keq universitetit të Mica Jovanovicit (ekuivalent i universitetit të Henri Çilit).

Në biografinë shkencore të Jovanovicit shkruhej se kishte mbrojtur doktoraturën (PHD) në të famshmen “London School of Economics”, madje ai kishte marrë edhe Medaljen (titullin) “Socrates” nga vetë Universiteti i Oksfordit. Akademikët serbë pasi hulumtuan gjatë, zbuluan, që Mica Jovanovici jo, që nuk kishte mbrojtur doktoraturën pranë “London School of Economics”, por ai nuk ishte regjistruar kurrë në këtë institucion arsimor jashtëzakonisht prestigjoz. Sa për Medaljen “Socrates ”, ajo nuk jepej nga Universiteti i Oksfordit, por nga një firmë private e regjistruar në Oksford, që merrej me marrëdhëniet me publikun. Si përfundim Jovanovici dha dorëheqjen nga posti universitar, që mbante.

Në rrethet akademike serbe haptas flitet, që ky rast është vetëm maja e ajsbergut të mashtrimit dhe plagjiaturës në arsimin e lartë dhe në gradat shkencore në Serbi. Ministri i Brendshëm serb Nebojsha Stefanovic, vetëm 37 vjeç vazhdon të qëndrojë në postin e vet të ministrit. Ai e mbron si të mirëqenë d.m.th. jo false, jo plagjiaturë tezën e vet të doktoraturës, madje ankohet se këto janë sulme politike, që kanë qëllim të ndotin figurën e tij të pastër.

P.S.

Çdo krahasim me ministra, deputetë, drejtorë e kryebashkiakë shqiptarë nuk është aspak e rastit!

/gje. th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/