Durrës, 23 qershor 2014 – Demokratët e Shijakut kanë zgjedhur sot kreun e degës lokale. Burime pranë selisë blu bëjnë të ditur se kreu i ri lokal i demokratëve shijakas është zgjedhur Rezart Tusha me 80% të votave (ne foto, Tusha eshte personi me kemishe bojeqielli, i ulur ne rreshtin e dyte, ne krah te djathte te keshilltarit me kaskete).
Duket se mbështetja e shijakasve për Tushën ka qenë goxha e madhe, duke votuar masivisht për zgjedhjen e tij në krye të PD-së vendore.
Tusha ka fituar me diferencë të madhe votash përballë 3 kandidatëve të tjerë të kësaj dege Redi Varakut, Majlinda Krasniqit dhe Shpëtim Malltezit.
Rezart Tusha është ish-drejtori i Burgut të Rrogozhinës, i shkarkuar në 8 tetor nga Ministri i Drejtësisë Nasip Naço dhe njëkohësisht i dërguar për ndjekje penale pasi akuzohet për “Shpërdorim detyre”. Tusha akuzohet për “Shpërdorim detyre”, pasi dha një leje të veçantë për një të dënuar, “një leje e paligjshme, në kundërshtim me ligjin dhe rregulloren e përgjithshme të burgjeve”, siç thuhet në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë për rastin në fjalë.
Në të njëjtën kohë, Tusha është personi që përfaqësuesit e të djathtës në Këshillin e Qarkut të Durrësit propozuan si kreu i këtij këshilli pas shkarkimit së kryetarit Armand Teliti. Tusha doli humbës në këtë garë, e cila u fitua me një diferencë prej 6 votash nga kryetari aktual i Këshillit të Qarkut Alfred Mullaraj, njëkohësisht dhe kreu i degës lokale të PS-së së Durrësit.
Zgjedhjet për kreun e ri të degës së PD së Shijakut, pasojnë ato të zhvilluara në qytete të ndryshme të vendit. Prej më shumë se një jave, Partia Demokratike ka nisur procesin e zgjedhjes së drejtuesve të rinj të degëve lokale, votime këto që bëhen rreth 1 vit pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 23 qershorit dhe daljes në opozitë, pas 8 viteve në pushtet.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





