Itali, 23 qershor 2014 –  Policia italiane organizoi në Palermo një operacion të madh anti mafia të quajtur “Apokalipsi”.

Në këtë aksion, u përfshinë karabinierët, policia e shtetit dhe Guardia di Finanza. Deri tani janë arrestuar 95 persona, të njohur si “Burrat e nderit”, me akuzën e bashkëpunimit mafioz, zhvatjes dhe krime të tjera.

Hetimet u koordinuan nga drejtoria anti mafia në qytetin e Palermos . Hetuesit identifikuan udhëheqësit dhe pasuesit, duke siguruar provat për vënie gjobash nga njerëzit e “Cosa Nostra-s”.

Në krye të këtij rrjeti kriminal ështe identifikuar Xhirolamo Biondino, vëllai i Salvatores, shofer i Toto Riinës. Ai kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu dhe kishte filluar sërish të komandonte klanin. Në përpjekje për t’iu fshehur policisë, ai bënte ne dukje jetën e një pensionisti, duke udhëtuar me autobuz dhe duke mos u shoqëruar me persona të dyshimtë. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/