Tiranë, 23 qershor 2014 – Kryeministri, Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste ka paralajmëruar nisjen e një reforme të rëndësishme në vend. Bëhet fjalë për reformimin e sistemit të drejtësisë.

“Sot, gjyqtarët që kryejnë krime, duke u bërë pjesëmarrës në vrasjet dhe në tragjeditë njerëzore që shkaktojnë rrugëve “Gatet” e liruar me një të rënë çekiçi prej tyre, duhet ta marrin të qartë mesazhin se ne jemi gati të përballemi me çfarëdo kosto me ta, deri sa kush nuk do të ndahet nga “Gatet”, të shkojë të rri me “Gaten”, tek vendi i “Gateve”, pa mundur të bëjë dot më dëm për njerëzit e pafajshëm, në këtë vend, që s’është vendi i “Gateve”, por është vendi i qytetarëve të vet të zakonshëm dhe i familjeve të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”,u shpreh Rama.

Përveç gjyqtarëve, Rama tha se duhen shkundur edhe prokurorët. “Po ashtu, sot, prokurorët që i kanë marrë kaq shumë kohë këtij vendi duke i ardhur vërdallë dosjeve të krimeve, të zyrtarëve të lartë apo duke nxjerrë prej tyre vetëm disa “cironka” të lodhura, – si ato që kapnim ne me kavanoz te bregu i liqenit, – duhet ta kenë të qartë se nuk mund t’i fshihen më përgjegjësisë së tyre.”

Kryeministri tha se marrja e statusit kandidat “është dhe fundi i mundësisë që ne kemi për t’u justifikuar si vend, si popull, si shoqëri, por edhe si Parlament edhe si Qeveri për mjerimin e drejtësisë sonë”.

“Askush nuk na toleron dot më dhe askush nuk tolerohet dot më. Me këtë sistem drejtësie anëtarësimin në Bashkimin Evropian, të jemi të qartë, Shqipëria nuk e sheh dot as me dylbi”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë duke bërë të ditur se kjo reformë do të jetë kryefjalë e sesionit të ardhshëm të punimeve në Kuvend, ftoi opozitën që të bëhet pjesë e reformës.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/