DURRËS, 23 qershor 2014 – Biznesi durrsak merr pjesë në veprimtari filantropike sikurse është sponsorizimi që i kanë bërë spitalit rajonal.
Para pak kohësh është bërë furnizimi me pajisje dhe reagjentë i laboratorit bio-kimik-klinik nëpërmjet një projekti bashkëpunimi të drejtorisë së spitalit rajonal të Durrësit dhe sipërmarrjes vendore, të cilat do të ndihmojnë në realizimin për herë të parë të analizave hormonale në këtë spital.
Kjo i paraprin kështu, angazhimit të Ministrisë së Shëndetësisë për fillimin e projektit të kimioterapisë edhe në Durrës.
Pajisjet dhe reagjentët e siguruar përfshijnë 2 cellcounter-ë; 2 fotometra; 1 centrifugë, 25 000 analiza hematologjike.
Hapi tjetër do të jetë sigurimi i një autoanalizatori biokimik.
Gjithashtu, për të punuar me autoanalizator hormonal (në përdorim të spitalit), janë siguruar furnizime me kite për analiza hormonale: tiroide: TSH, FT4, FT3; ferritina; dhe analiza CA125 dhe CA15-3 për diagnostikimin e rasteve të kancerit të gjirit dhe vezoreve; si dhe analiza për urgjencën: troponina dhe dimer – kryesisht për urgjencën dhe kardiologjinë dhe patologjinë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





