Durrës, 23 qershor 2014 – Detyruan një të mitur të konsumonte hashash, ndalohen nga policia.

Dy adoleshentë durrsakë, respektivisht B.D., 15 vjeç dhe N.L., 17 vjeç janë denoncuar nga mamaja e një të mituri, si personat që e kanë detyruar djalin e saj të konsumonte kanabis sativa.

Ngjarja mësohet të ketë ndodhur ditën e premte. Dy adoleshentët i kanë ofruar të miturit 11 vjeçar një cigare hashash. Ky i fundit ka hezituar ta përdorë lëndën narkotike, por dy adoleshentët pasi i kanë folur për vetitë ‘mrekullibërëse’ të kësaj cigareje, e kanë detyruar djalin ta thithë.

Konsumimi i kanabisit ka dhënë menjëherë efektet e para tek i mituri. Mamaja e tij, kur ka parë gjendjen aspak normale të djalit të saj, është frikësuar dhe e ka pyetur se çfarë kishte.

I mituri i ka rrëfyer për dy ‘shokët’ e tij që i kishin dhënë të konsumonte kanabis. E alarmuar nga ngjarja, gruaja 35 vjeçare e ka mbajtur vrapin në komisariatin e policisë, ku ka denoncuar dy adoleshentët që konsiderohen shkaktarë të drogimit të djalit të saj të mitur.

Pas marrjes së denoncimit, policët kanë ndaluar dy adoleshentët 15 dhe 17 vjeçar me akuzën «Nxitje për përdorim të drogës, e kryer në bashkëpunim».

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/