DURRËS, 23 qershor 2014 –  Para pak kohësh, në Akademinë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” në fshatin Shën Vlash të komunës së Rrashbullit u diplomuan 10 djem e vajza, njofton dhjaku Stefan Ritsi.

Në ceremoni morën pjesë Fortlumturia e tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, klerikë të tjerë të lartë, pedagogët dhe studentët e Akademisë, si dhe familjarët e miqtë e studentëve të diplomuar.

Ceremonia u hap me një këngë të kënduar nga kori i Akademisë.

Përshëndetën peshkop Nikolla dhe studentet Justina Dhima dhe Kostandina Rrasa.

Në përfundim, pasi mbajti një fjalë të shkurtër, Imzot Anastasi Anastas u dha diplomat studentëve.

Me këtë rast u shtrua një drekë për të gjithë të pranishmit.

Info

Më 7 shkurt 1992, u hap një seminar teologjik me 45 studentë në një hotel në plazhin e Durrësit (në foto).

Në vitin 1996, shkolla u zhvendos në një kompleks modern ndërtesash të reja pranë manastirit të Shën Vlashit, në fshatin me të njëjtin emër, në Rrashbull të Durrësit, që përfshin kishën e shkollës “Ngjallja e Krishtit”, disa klasa mësimi, klasën e kompjuterëve, sallën e studimit, atë të pritjes, sallën e ceremonive dhe të shfaqjeve, mensën, një bibliotekë të pasur me më shumë se 15.000 libra fetarë, shkencorë, historikë, letrarë, sallën e lojërave të pingpongut, një fushë të madhe volejbolli, futbolli, konviktin e djemve dhe atë të vajzave.

Të gjithë kandidatëve të pranuar në shkollë u jepet bursë.

Stafi pedagogjik përbëhet nga 16 pedagogë; në periudha të ndryshme vijnë edhe pedagogë të jashtëm.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/