Durrës, 23 qershor 2014 – 3 aksidente rrugore janë regjistruar gjatë fundjavës në qytetin e Durrësit, nga të cilët kanë mbetur të plagosur tre të rinj.

Efektivët e policisë kanë arrestuar në flagrancë 48 vjeçaren Silva Meçaj nga Tiranë, e cila gjatë pasdites së të shtunës ka aksidentuar në lagjen nr.17 të Durrësit, një 14 vjeçar nga Durrësi, V.B., i cili po udhëtonte me biçikletë. Adoleshenti durrsak është dërguar me urgjencë në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.

Kishte ardhur për të kaluar fundjavën në qytetin bregdetar, por është aksidentuar nga një drejtues automjeti Volksvagen Pasat me targa TR2853R, i cili është përplasur me një automjet me targa të huaja, me të cilin udhëtonte një 19 vjeçare nga Prishtina. Aksidenti mes dy mjeteve është regjistruar në segmentin rrugor Plepa – Golem. Burime policore bëjnë të ditur se kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 42 vjeçarin L.H., nga Tirana, i cili rezulton se është shkaktari i aksidentit dhe njëkohësisht është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Ndaj një tjetër shtetasi nga Tirana ka nisur procedimi penal në mungesë, pasi 25 vjeçari Edison Matoshi ka goditur nga prapa me motorçikletën e tij një automjet tip Benz, me targa AA 035 DT, në autostradën Tiranë – Durrës. Si pasojë e aksidentit ka mbetur i plagosur një 25 vjeçar, që udhëtonte si pasagjer në motorçikletën e drejtuar nga Matoshi. Aktualisht i plagosuri ndodhet i shtruar në reanimacionin e spitalit të Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/