Zvicër, 23 qershor 2014 – Në Nion të Zvicrës u hodh shorti i raundit të parë dhe të dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Gjashtë ekipe janë përfshirë në raundin e parë kualifikues, që do të luhet më 1/2 dhe 8/9 korrik. Short i vështirë për kampionët e Shqipërisë. Goglat e përziera në Zyrih të Zvicrës, në zyrat e UEFA-s, kanë zbardhur edhe kundërshtarin e Skënderbeut në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Kampioneve. Bëhet fjalë për një emër të njohur, kampionen e Bjellorusisë, Bate Borisov.
Nisur nga cfarë paraqet në të gjitha drejtimet kjo skuadër, jmund të thuhet se shorti ka rezultuar mjaft i vështirë për skuadrën e drejtuar nga Mirel Josa. Bate Borisov është një klub futbolli nga Bjellorusia, që luan dhe përfaqëson qytetin e Borisovit. Ata konkurrojnë në “Premier League” bjelloruse dhe janë kampionët aktualë të këtij vendi. Bate është i vetmi ekip i Bjellorusisë që është kualifikuar për në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve (2008-09, 2011-2012 dhe 2012-2013), si dhe në fazën e grupeve të “Europa League” (2009-2010 dhe 2010-2011).
Që nga viti 1996, Bate Borisov ka fituar tetë herë titullin e kampionit në Premier Ligën e Bjellorusisë, duke marrë pjesë me dinjitet edhe në kompeticionet ndërkombëtare, të drejtuara nga UEFA. Në vitin 2001, Bate Borisov arriti deri në raundin e parë të Kupës UEFA, duke regjistruar kësisoji paraqitjen e tyre të parë përtej raundeve kualifikuese. Në vitin 2008 pati mundur BATE Valur, RSC Anderlecht dhe Levski Sofje, për t’u bërë ekipi i parë bjellorus që kualifikohej në fazat e grupeve të Ligës së Kampioneve.
Në një grup me Juventusin, Real Madridin dhe Zenit St.Petersburg, Bate Borisov përfundoi me tri pikë. Skuadra në fjalë bjelloruse ishte në Grupin I të Ligës së Europës në sezonin 2009-2010, së bashku me Benfikën, Evertonin dhe AEK-un e Athinës, por u eliminua aty dhe nuk përparoi dot më tej. Në sezonin 2010-2011, Bate Borisov luajti në të njëjtin kompeticion, në Grupin E, së bashku me AZ Alkmar, Sherif Tiraspol dhe Dinamo e Kievit. Aty u kualifikua në grup dhe shkoi në fazën ku merrnin pjesë 32 skuadrat më të mira. Më vonë u eliminuan nga PSG-ja.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





