Tiranë, 23 qershor 2014 – Të gjithë qytetarët që me ligjin aktual nuk kanë vetëdeklaruar objektet e ndërtuara pa leje deri në vitin 2009, do të mund të aplikojnë në sportelet e ALUIZNI-t pas datës 28 qershor. Drejtues të legalizimeve shprehen se pas këtij hapi do të jenë grupet e punës ato që do të verifikojnë në terren objektet. “Me hyrjen në fuqi të ligjit të ndryshuar, pas 2 javësh do të nisin edhe plotësimet e kërkesave që ne do t’i njoftojmë”. Si për shtëpitë pa leje edhe për shtesat në pallate, do të legalizohen vetëm ato të kryera deri në 2009-ën.

Kush nuk ka vetëdeklaruar

Për më shumë se 30 mijë objekte pa leje nuk është bërë vetëdeklarimi sipas afateve të përcaktuara në ligjin aktual. Këto dosje kanë ngelur të ngrira, pasi mosdeklarimi në kohë i përjashton ato nga procesi. Në shumicën e rasteve të gjithë këta persona që disponojnë këto ndërtime, nuk kanë mundur të bëjnë deklarimin sipas afateve ligjore për shkaqe më së shumti objektive. Mësohet se shumica e tyre janë emigrantë dhe nuk kanë qenë në Shqipëri në momentin kur duhet të bëhej deklarimi sipas ligjit. Burimet nga ALUIZNI bëjnë me dije se qeveria do të tregohet e kujdesshme me këtë kategori, pasi pas çdo ndërtimi qëndron mundi i një familjeje të tërë. Për të rehabilituar edhe këtë kategori, aktualisht është duke u marrë i gjithë informacioni që duhet për të verifikuar se sa është numri real i ndërtimeve pa leje, aplikantët e të cilave kanë tejkaluar afatin ligjor, por që objektet në pronësi të tyre datojnë para se ligji të hynte në fuqi. Për të bërë të vlefshëm legalizimin e këtyre objekteve, ALUIZNI me hyrjen në fuqi të ligjit të ri më 28 qershor do të marrë në dorëzim aplikimet e reja për këto objekte. Më pas do të vijojë verifikimi i objekteve në terren dhe më pas legalizimi i tyre. Përfitojnë objektet e ndërtuara deri në vitin 2009 dhe gjithashtu ato objekte që nuk janë në kundërshtim me planet rregulluese. Gjithashtu do të përfitojnë legalizim objektet e ndërtuara edhe pas 2009, por që janë jo në truall të huaj.

Jo fushatë e re vetëdeklarimesh

Qeveria nuk do të hapë asnjë proces për vetëdeklarime të reja. Domethënë, që të 290 mijë objektet që janë vetëdeklaruar si të tilla me ligjin aktual, do të jenë të mirëqena edhe me ligjin e ri të legalizimeve që hyn në fuqi më 28 qershor. Janë të vlefshme të gjitha vetëdeklarime që janë bërë që në vitin 1993, pastaj në 2005 e në 2007 dhe që nuk kanë marrë certifikatën. Për të gjitha këto objekte ALUIZNI do të bëje një verifikim në terren, për të vijuar më pas procedurat e mëtejshme. Projektligji i ri për legalizimet ka sjellë ndryshime, që përfshijnë nga pagesa për të marrë tapinë deri tek një seleksionim i qartë i objekteve që përfitojnë dhe nuk përfitojnë nga procesi. Projektligji parashikon një proces veçmas për ndërtimet pa leje që janë ndërtuar para vitit 2009. Mësohet se për këto banesa, që janë më shumë se 100 mijë në të gjithë vendin, do të ketë një verifikim të ri në terren dhe harta të reja, për të vijuar më pas legalizimin e tyre rast pas rasti. Gjithashtu, ligji i ri përmban penalitete mbi shtesat që janë bërë në objektet në proces legalizimi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/