Brazil, 23 qershor 2014 – Do të përballet me vendin e tij, megjithatë Jurgen Klinsmann insiston se miqësirat do të lihen jashtë fushe sepse brenda saj fjala i takon vetëm futbollit. Pas fitores së mohuar nga portugezët në minutat e fundit, amerikanët fazën e grupeve e mbyllin me Gjermaninë dhe kjo është hera e parë për Klinsmann që rreshtohet si kundërshtar përballë kombit të tij. Ndërkohë një e veçantë tjetër është takimi me ish asistentin e tij Joachim Low, me të cilin ka drejtuar panzerat në vitet 2004-2006.
“Jogi po bën punën e tij dhe unë timen. Detyra ime tani është ta çoj skuadrën në raundin tjetër, pra nuk ka kohë për miqësira. Ekipi amerikan është i njohur tashmë se jep maksimumin në çdo ndeshje. Kemi shpirt luftarak, energji dhe vendosmëri. Me këtë karakter do të shkojmë në Recife, me ambicien për ta mposhtur Gjermaninë sepse ky është objektivi ynë dhe unë kam shumë besim”.
I lodhur edhe ai vetë pas barazimit dramatik kundër Portugalisë, Klinsmann shfryu në kritika, duke thënë se gjithçka në këtë Botëror është projektuar për të favorizuar skuadrat e mëdha.
“Kemi një ditë më pak se Gjermania për t’u rikuperuar. Ne luajtëm në Amazona, ndërsa ata në një vend më të mirë, ku është më e lehtë të udhëtosh. Favorizohen kështu të mëdhenjtë, ndërsa ne e kemi më të vështirë, por gjithsesi do t’ia dalim”.
Nëse te amerikanët besojnë dhe do të luftojnë për kualifikimin, te portugezët ka pllakosur pesimizmi, ndonëse Cristiano Ronaldo me krosimin e tij super perfekt ndikoi drejtpërdrejt në barazimin e sfidës. Paulo Bento tha se ky rezultat mund të konsiderohet negativ sepse e ka vendosur skuadrën e tij në një situatë të komplikuar me njërën këmbë jashtë Botërorit. Gjithsesi tekniku i luzitanëve paralajmëroi ganezët se Portugalia do të luajë në takimin e fundit për të shfrytëzuar çdo mundësi kualifikimi, sado të pakta qofshin ato.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





