Tiranë, 23 qershor 2014 – Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka dalë kundër gazetarit të njohur Blendi Fevziu. Shkak është bërë emisioni i moderuar prej tij “Opinion”, me titull “Kryepeshkopi i Serbisë dhe Kisha e Janullatosit”, i datës 03.6.2014, shkruan “Panorama”.

Emisioni ishte i ndërtuar në pesë shtylla kryesore: Deklaratat e patriarkut serb në Tiranë, mesha në greqisht, debati për autoqefalinë, ndërhyrja e Kishës greke në atë shqiptare dhe cili është qëndrimi ortodoksëve.

Në panel ishin gjashtë të ftuar, ku nga njëra anë Artur Zheji, Ilir Kulla e Ardit Bido dhanë argumentimet e tyre kundër deklarimeve në Tiranë të patriarkut serb Irenej dhe nga ana tjetër Elsa Ballauri, Thoma Miço e Panajot Barka treguan arsyet pse ishin “pro”.

Debati në studio duket se nuk është pritur mirë nga Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, e cila bën me faj pikërisht drejtuesin e këtij emisioni, Blendi Fevziu.