Itali, 22 qershor 2014  – Shqiptari Përparim Hiseni, vetëm 23 vjeç, u akuzua nga prokurori në Gjykatën e qytetit të Teramos për vrasje me dashje në rrethana rënduese. Përparimi akuzohet për vrasjen e bashkëatdhetarit të vet, Leven Ferrës, 30 vjeç.

Në aktakuzë prokuroria përmend si motiv të vrasjes luftën për ndarjen e territorit midis bandave shqiptare të prostitucionit, por edhe të drogës. Vrasja e Leven Ferrës u krye në 20 tetor 2012 në një kafene në qytezën e Alba Adriatikës të Rajonit të Abrucos.

Trupit gjykues dhe publikut në sallën e gjyqit i bëri përshtypje sjellja e Përparimit. Prokurori për Përparimin kërkoi në pretencë dënimin me burgim të përjetshëm, një vit izolim në birucë dhe përjashtim për jetë nga ushtrimi i një nëpunësie publike.

Pas mbarimit të pretencës, Përparimi duartrokiti fjalën e prokurorit, një sarkazëm therëse, që pati mjaft efekt mbi trupin gjykues. Pas 5 orësh debatesh trupi gjykues shpalli vendimin për t’i dhënë Përparim Hysenit të njëjtin dënim, që kërkoi prokurori në pretencë, pra dënim me burgim të përjetshëm dhe një vit birucë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/