Tiranë, 22 qershor 2014 – Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim kanë marrë vendimin për t’iu drejtuar Edi Ramës për lëvizjen e të paktën një ministri gjatë një dreke miqësore të tyre. Një deputet i kësaj partie tha dje se çdo gjë nisi gjatë një dreke mes kolegësh e ku ata kanë shprehur pakënaqësitë e tyre për një nga ministrat e kabinetit “Rama”, shkruan “Panorama”.

Gjatë drekës ata janë shprehur se nuk po arrijnë të komunikojnë me një nga ministrat e qeverisë, as telefonin nuk ua hap dhe, si të mos mjaftonte kjo, edhe performanca e punës së tij në këtë Ministri nuk është ajo e pritura dhe nuk ka ritmin e disa ministrave të tjerë.

Gjatë drekës është hedhur dhe ideja e një kërkese zyrtare jo vetëm të tyre, por edhe nga deputetë të Partisë Socialiste, të cilët ndajnë të njëjtin mendim me ta, për t’iu drejtuar Kryeministrit Rama.

Pikërisht këtë mendim të deputetëve e shprehu një ditë më pas, deputeti Gjovalin Kadeli. Në atë kohë në media u përfol se deputetët do t’i kërkonin Ramës “kokën” e Tahirit, por dje deputeti Kadeli deklaroi se nuk bëhej fjalë për ministrin e Brendshëm, ndërsa vlerësoi edhe aksionin në Lazarat.

 /agjencia e lajmeve “Dyrrah”/