Gjirokastër, 22 qershor 2014 – Lazarati dje ishte “bosh”. Dukej sikur një familje e madhe ishte shpërbërë sa hap e mbyll sytë. Nëpër rrugët e fshatit lëviznin vetëm forcat policore të RENEA-s dhe ato të FNSH-së, që në diellin që digjte vazhdonin të kontrollonin kudo; në banesa, në oborre, rrugica dhe parcela. Në dy lokalet në qendër të fshatit nuk shikon lazaratas që gjerbin kafenë. Burrat e djemtë e fshatit kanë marrë “arratinë”. Shumica e shtëpive janë braktisur. 

Të paktët nga meshkujt që kanë ngelur, janë ata që nuk kanë probleme me drejtësinë. Dhe vetëm pak ditë më parë, ky fshat që rëndom është cilësuar si “rebel” ishte shumë i populluar. Ishte një “treg” stërmadh. Përveçse banorëve të tij, aty për çdo ditë mbërrinin me furgonë punëtorë me mëditje nga Gjirokastra dhe rrethe të tjerë të vendit. 

Ndërkohë, pjesë e këtij komuniteti ishin bërë dhe shumë persona të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave të ndryshme penale. Lazarati për ta ishte streha më e sigurt, por edhe një vend ku mund të pasuroheshin shpejt nëpërmjet kultivimit dhe trafikimit të hashashit. Njëkohësisht, Lazarati ishte dhe një fshat që kushtonte shumë. Madje më shumë se zonat në qendër të Tiranës. 

Qiraja e tokave 

Burime zyrtare nga forcat policore dhe speciale që po vazhdojnë operacionin për gjetjen dhe asgjësimin e tonelatave me hashash si dhe sekuestrimin e arsenalit luftarak bënë me dije për “Gazeta Shqiptare” se toka dhe banesat në këtë fshat jepeshin shumë shtrenjtë nga pronarët e tyre. Sipas këtyre burimeve, 1 metër katror në Lazarat kushtonte sa tek Blloku në Tiranë. Mësohet se banorët e këtij fshati i jepnin disa nga parcelat e tyre me qira shumë të lartë. “Qiraja e tokës dhe e banesave në këtë fshat arrinte në 1 mijë euro. Por ishte deri pak ditëve, se tani nuk jepen më toka dhe banesa me qira”, tha një drejtues i një njësie operacionale. 

Hashashi

Shtëpitë e banorëve të Lazaratit janë kthyer “përmbys”. Ndonëse deri tani janë sekuestruar mbi 39 tonë hashash, policia dhe forcat speciale vazhdojnë kontrollet banesë më banesë dhe cep më cep të fshatit. Pavarësisht “blindimit” të fshatit nga forcat e Rendit, FNSH-së dhe RENEA-s, pohohet se banorët e kanë fshehur një sasi të lëndës narkotike. 

“Na duhet të qëndrojmë gjatë në Lazarat. Tani është faza më e vështirë, pasi duhet të kontrollosh në çdo skutë të Lazaratit. Dyshojmë se banorët kanë groposur një pjesë të hashashit dhe na duhet ta gjejmë. Pastaj ka dhe shumë municion luftarak. Një pjesë të armëve dhe municioneve, banorët i kanë hedhur ku kanë mundur, disa i kanë fshehur nëpër parcela e kopshtije”, pohuan disa nga efektivët e angazhuar në operacionin më të madh që është ndërmarrë ndonjëherë në vendin tonë.

/Gazeta Shqiptare/