Tiranë, 20 qershor 2014 – Personazhi i famshëm “Gatja” i Lazaratit u përball sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda me akuzat që rëndojnë mbi të. Ndër avokatët që do ta mbrojnë në këtë proces zgjedhir bie në sy avokatja simpatike, Enkelejda Hysi, bjondja me flokët gërsheta, shkruan BalkanËeb. Hysi, 28-vjeçare, pavarësisht se e re në moshë dhe profesion ka në mbrojtje dhe emra të tjerë të njohur si Admir Tafilin, Fran Marashin dhe tanimë dhe të famshmin, “Gate” i Lazaratit.
E ndërsa Gatja po përballet me akuzat që rëndojnë mbi të, e njëjta gjë po i ndodh edhe djalit të tij, Vandamit. 19 vjeçari Vandam Mahmutaj u arrestua bashkë me dy kushërinjtë e tij, me akuzën e sulmit ndaj uniformave blu që tentonin të verifikonin parcelat me kanabis në Lazarat.
Pikënisja e procesit të hetimit që u finalizua me arrestimin e Vandam Mahmutajt në fshatin Lazarat ka qenë pikërisht këqyrja që policia gjyqësore i bëri banesës së personazhit problematik në Lazarat. Të mërkurën, rreth orës 15:00, pasi zona ishte pastruar nga rreziku prej forcave speciale, ekipi hetimor mbërriti në zonë dhe kreu veprimet procedurale. Në pjesën e brendshme të njërës nga banesat private, në shkallë dhe në oborr, u gjetën sasi të mëdha gëzhojash arme zjarri tip kallashnikov.
Gëzhoja u gjetën edhe në hyrjen e kapanoneve dhe në afërsi të mureve rrethuese të oborrit të banesës. Gjithsej, policia ka thënë se janë gjetur 225 gëzhoja. Po kështu, në brendësi të banesës u gjetën edhe tre thasë me kanabis, një pistoletë gjurmëhedhëse dhe sasi të mëdha municionesh në disa thasë. Gjatë qëndrimit aty, policia u mori deklarata nënës dhe gruas së Gate Mahmutajt. Ato mohuan akuzat ndaj djalit të të arrestuarit, duke thënë se ai kishte qindra krerë kokë bagëti dhe nuk kishte arsye të shkelte ligjin. Gjithashtu, me një komunikim të tensionuar me policët ato thanë se Gate Mahmutaj nuk kishte qëlluar ndaj policisë.
Gjatë komunikimeve të grave me policët, në bisedë u përfshi edhe djali 19-vjeçar, i cili deri në ato momente nuk ishte prezantuar se ishte djali i të arrestuarit. Nëna e tij i kërkoi të heshtë dhe të mos flasë, duke iu drejtuar me fjalët “o bir”, duke zbuluar identitetin e tij. Ai u shoqërua në polici ku nga ekzaminimet ka rezultuar se në duart dhe rrobat e tij kishte faktorë plotësues të barutit. Kaq ka mjaftuar që i riu të arrestohej me akuzën e goditjes me armë ndaj policisë, por edhe për mbajtje armësh pa leje dhe lëndësh narkotike. Veç tij u arrestuan dhe dy kushërinjtë e tij, nipërit e Gate Mahmutajt, pikërisht Rustem dhe Teslim Mahmutaj, përkatësisht 19 dhe 22 vjeç, edhe ata banorë të Lazaratit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





