Spanjë, 20 qershor 2014 – E përditshmja spanjolle “Marca” organizon një sondazh në lidhje me të ardhmen e trajnerit Vicente del Bosque në krye të stolit të Spanjës pas dështimit në botëror ku pjesa dërrmuese e tifozëve të La Rojas besojnë se aventurës së teknikut në krye të skuadrës i ka ardhur fundit. Pas disfatave të rënda kunddër Holandës dhe Kilit, 68.6 % e votuesve mendojnë se një tjetër trajner duhet ta drejtojë skuadrën spanjolle në eliminatoret drejt Euro 2016.
Në sondazh morën pjesë rreth 150 mijë votues online ku 2 nga tre janë kundër trajnerit kampion bote, ndërsa 31.4 % ose 42 mijë besojnë në punën e teknikut dhe e shikojnë me vend që ai të vazhdojë punën me ekipin. Sondazhi nuk përfshin vetëm trajnerin sepse 94 % kërkojnë që Xavi t’i japë lamtumirën skuadrës, ndërsa Villa e Torres e ndjekin me 91 dhe 89 %. Del Bosque e mori drejtimin e Spanjës në vitin 2008 dhe vetëm 2 vite më pas fitoi të parën Kupë Bote për kombëtaren La Roja. Ai është trajneri i vetëm që ka fituar UEFA Champions League, Kupën e Botës dhe Kupën e Europës.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





