Durrës, 20 qershor 2014 – Prej 3 ditësh, kompjuterat në Drejtorinë e Patentave në Durrës nuk kryejnë asnjë veprim për shkak se nuk kanë sistem. Fakti pranohet nga drejtori i kësaj drejtorie Daut Naço, i cili sqaron për “Dyrrah” se për shkak të një problemi teknik, nuk është bërë e mundur kryerja e procedurave të zakonshme në shërbim të qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve.

Sipas Naços, specialistët e IT-së të ardhur nga Tirana po punojnë për të rregulluar difektin dhe për të rikthyer normalitetin e punës në sportelet e kësaj drejtorie. Difekti pritet të rregullohet gjatë ditës së sotme, gjithsesi kjo nuk do t’u vijë në ndihmë qytetarëve, pasi duke llogaritur faktin se sot është e premte dhe nesër e pasnesër administrata është pushim, çdo problem i qytetarëve do të mbetet për t’u zgjidhur javën e ardhshme.

Nga ana tjetër, drejtuesit e mjeteve prej tre ditësh paraqiten më kot para sporteleve të Drejtorisë së Patentave. Ata ankohen për vonesat e shkaktuara për shkak të këtij problemi, sorrollatjet disa ditore dhe humbjen e kohës. Shumë drejtues mjetesh që i janë drejtuar kësaj drejtorie për të paguar taksën vjetore të automjetit ose kanë dashur të regjistrojnë mjetet e reja janë detyruar të kthehen mbrapsht. Pasi kanë qëndruar për disa orë në pritje të zgjidhjes së difektit në sistem, ata janë detyruar të largohen duke shprehur mërzinë e tyre për orët e humbura.

Disa prej tyre janë paraqitur tre ditë me rradhë pranë kësaj drejtorie me shpresën se gjithçka ishte rregulluar, por më kot. Stresit që nuk mbaruan punë i shtohet edhe shqetësimi se javën e ardhshme rradhët do të jenë të gjata, për faktin se shumë qytetarë do të dynden në fillim javë për të kryer veprimet e nevojshme pranë sporteleve të kësaj drejtorie.

Ndërkohë për disa të tjerë, mos kryerja e veprimeve i penalizon për faktin se nuk mund të përdorin automjetin përsa kohë nuk kanë paguar taksën. E në këtë rast gjithçka ndodh jo për shkak të neglizhencës së tyre, por sepse Drejtoria e Patentave nuk u ka ofruar shërbimin e kërkuar prej një difekti teknik që zgjat prej tri ditësh.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/