Durrës, 20 qershor 2014 – 60 vjeçari Bashkim Dragovoja, shoferi i furgonit që deklaroi një ditë më parë se është dhunuar nga efektivë të policisë së Durrësit, vazhdon të jetë i shtruar në spital në gjendje të rëndë. Familjarët e tij deklarojnë se dhuna e ushtruar ndaj tij nga efektivët e rendit Arian Ç. dhe Ilir V., si dhe nga një shef policie që ka hipur i veshur civil në furgonin e policisë, ka lënë pasoja në gjendjen shëndetësore të 60 vjeçarit.
Në fotot që ata vënë në dispozicion për “Dyrrah”, duken qartë dëmtimet e pësuara në fytyrë nga dhuna policore e ushtruar ndaj Dragovojës. 60 vjeçari vazhdon të jetë nën kujdesin e bluzave të bardha të spitalit rajonal.
Por nga ana tjetër policia pretendon se 60 vjeçari ka kundërshtuar me veprime të dhunshme dhe në gjendje të pirë dy efektivët e rendit që ndodheshin në detyrë. Sipas policisë, edhe njëri nga policët e përfshirë në këtë konflikt ka shenja të qarta në gjoks që dokumentojnë se ai është goditur nga Dragovoja.
Ngjarja
Paraditen e së enjtes, rreth orës 11.00, në lagjen nr.11 Durrës, tek kryqëzimi i Pallatit të Sportit “Ramazan Njala”, patrulla e policisë, e përbërë nga efektivët ArianÇ. dhe Ilir V., kanë konstatuar një shkelje administrative nga një automjet, tip furgon.
“Në momentin që punonjësit e Policisë kanë kontaktuar drejtuesin e mjetit, shtetasin Bashkim Dragovoja për ta paralajmëruar për ndalimin e mjetit, në një vend ku nuk lejohet parkimi ata kanë hasur në kundershtimin fizik dhe fyerje të vazhdueshme nga ana e tij. Theksojmë se qytetari i cili ka kundershtuar me veprime të dhunshme fizike punonjesit e patrulles së Policisë në detyrë ka qenë edhe në gjendje të pirë”,- thuhet në njoftimin e policisë së Durrësit.
Nga ana tjetër, familjarët e Dragobojës deklarojnë se 60 vjeçari ka qenë duke u nisur për në varrim, në momentin kur është dhunuar nga policia dhe është shoqëruar për në komisariat. Ata thonë se dhuna e ushtruar ndaj 60 vjeçarit Dragovoja është e paprecedent, për më tepër që është ushtruar nga uniformat blu.
Hetimet
Meqë ngjarja në fjalë përfshin dy punonjës policie, hetimet për këtë rast i kanë kaluar Prokurorisë së rrethit Durrës dhe SHKB-së për kryerjen e verifikimeve të nevojshme, që do të ndihmojnë në zbardhjen e të gjithë ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësisë së secilit person të përfshirë në konflikt.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





