Brazil, 19 qershor 2014 – Luis Suarez i ka dhënë një shqelm të fuqishëm Anglisë, duke e eliminuar pothuajse nga Botërori.

Sulmuesi uruguaian realizoi dy gola ndaj “Tre Luanëve”, në fitoren e ekipit të tij me rezultat 2:1, në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të Grupit D.

Suarez e ka realizuar golin e avantazhit për ekipin amerikanojugor në minutën e 39-të me kokë, pasi e mori një top maestral nga Edinson Cavani.

Ndërkaq, në minutën e 75-të, Wayne Rooney i barazoi shifrat, pasi mori një top të mirë nga Johnson.

Mirëpo, sulmuesi i Liverpoolit doli në skenë sërish në minutë e 85-të, duke e shënuar një super gol, për t’i siguruar Uruguait tri pikët e para të këtij Botërori dhe duke ia rritur gjasat për kualifikim.

Në anën tjetër, anglezët e shohin veten me një këmbë jashtë Botërorit, pasi pësuan dy humbje në po aq ndeshje të zhvilluara.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/