Durrës, 19 qershor 2014 – Biznesmeni Enver Shaba (Shala), për të cilin gjykata e Durrësit pati dhënë masën e sigurisë ‘arrest me burg” në datë 17 maj, do të qëndrojë pas hekurave deri në përfundim të procesit gjyqësor ndaj tij.

Biznesmeni 46 vjeçar, që ka në pronësi disa prej pallateve shumëkatëshe të ngritura në qytetin bregdetar dhe zonën turistike, u arrestua në datë 17 qershor, një muaj pasi gjyqësori dha masën e sigurisë për të. Shaba akuzohet për “Ndërtim pa leje”.

Shaba u arrestua ndërsa ishte paraqitur në spitalin rajonal të Durrësit për një vizitë mjekësore për t’u kuruar për problemet kardiake. Aktualisht Shaba vazhdon të qëndrojë i shtruar në spitalin e Durrësit për shkak të problemeve shëndetësore.

Pavarësisht gjendjes së tij, trupi gjykues vendosi të lërë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykata e Durrësit që në datë 17 maj. Në argumentimin e tij, prokurori i çështjes deklaroi se Shaba ishte vënë në dijeni kohë më parë se po shkelte ligjin me ndërtimin 9-katësh tek Shkëmbi i Kavajës, por pavarësisht kësaj ai ka vijuar ngritjen e kateve normalisht.

Pallati i Enver Shabës tek Shkëmbi i Kavajës u shemb tre javë më parë nga INUK me shpërthim të telekomanduar, shpërthim ky që u shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale bizneseve përreth.

Nga ana e tij, avokati mbrojtës kërkoi nga gjykatësi Fejzo Hysi një masë më të lehtë sigurie, nisur kjo nga gjendja shëndetësore e të pandehurit dhe fakti që ai nuk përbën rrezik për shoqërinë.

Por gjykatësi Hysi, pavarësisht kërkesës së avokatit mbrojtës, la në fuqi vendimin e datës 17 maj, që parashikon masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin Enver Shaba (Shala).

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/