Brazil, 19 qershor 2014 – Xherdan Shaqiri thotë se ai me shokët tjerë të Zvicra janë duke i bërë shqiptarët që të mburren me ta. Krahas futbollistit të Bayern Munichut, tek ekipi helvetik në Botëror po luajnë edhe Valon Behrami, Blerim Xhemajli, Granit Xhaka e Admir Mehmedi.

“Vazhdoni të na përkrahni kudo që jeni. Ne jemi duke e bërë më të mirën e mundshme për t’ju bërë ju të lumtur. Ne duam që ju të ndiheni krenarë me ne”, ka thënë 22 vjeçari për ‘Arena’.

Shaqiri u shpall nga FIFA lojtari i ndeshjes në takimin Zvicër – Ekuador. Ylli i Kosovës dhe Përfaqësueses helvetike ndihet tejet i lumtur që shqiptarët, veçanërisht ata nga Kosova po i përkrahin. 22-vjeçari nga Gjilani thotë se fitorja ndaj Ekuadorit i ka lënë “me këmbë në tokë”.

Të dy ndeshjet e ardhshme i parashikon të vështira. “Fitoren ndaj Ekuadorit ia dedikojë gjithë njerëzve që e përkrahin Zvicrën. Unë jam shumë i lumtur që njerëzit e Kosovës qëndrojnë pas nesh”, vazhdoi ish futbollisti i Baselit.

Të premten, Zvicra luan me Francën, kurse takimin e fundit në grup e zhvillon me modestët e Hondurasit. Një fitore nga dy ndeshjet e radhës e dërgon në 1/8 e finales. Por, a mundet Zvicra sipas Shaqirit të prek çerekfinalen?

“Na lejoni të qëndrojmë me këmbë në tokë. Kjo ishte vetëm një fitore në një ndeshje. Dy takimet e tjera po na presin dhe që të dyja janë ndeshje të vështira. Na lejoni t’i bëjmë gjërat ashtu si i kemi bërë qe disa vjet”, përfundoi ai.