Gjirokastër, 19 qershor 2014  – Policia e Shtetit vijon aksionin kundër drogës në Lazarat, fshatin ‘rebel’ të Gjirokastrës që prej 5 ditësh është shndërruar në ‘fushë beteje’, mes policisë dhe një grupi personash që sulmojnë me armë në përpjekje për të penguar operacionin. 

Në kuadër të këtij operacioni deri tani janë arrestuar 13 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivim kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone. Mes të arrestuarve është edhe djali i Gate Mahmutaj, Vandam Mahmutaj, vjeç 19, i cili dyshohet se ka qëlluar ndaj policisë. 

Vandami i ‘Lazaratit’ akuzohet për veprat penale vrasje e punonjësve të policisë e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim, mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak, kultivimi i bimëve narkotike. 

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Vandam Mahmutaj janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1363 kg hashash, 8500 rrënjë bimë narkotike, 1000 fishekë model 56, 225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme.