Gjirokastër, 19 qershor 2014 – Ditën e sotme, pritet një ndërhyrje nga ajri me anë të dy helikopterë do jenë pjesë e operacionit në Lazarat.
“Forcat e FNSH-së presin dhe nuk duhet nëse do të ketë një ndërhyrje nga ajri apo jo. Pasi një avion ka tentuar diçka të tillë. Rreth 11 e 30 minuta nisi dhe shkëmbimi i armëve mes grupeve kriminale dhe efektivëve të policisë. Në Lazarat shihet tym e zjarr, pasi po digjet hashash.”- raportojnë gazetarët nga terreni.
Forcat e Policisë së Shtetit po vijojnë prej 5 ditësh depërtimin hap pas hapi për në brendësi të fshatit Lazarat, duke ushtruar kontroll në territoret e banesave, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës.
Në terren janë rreth 800 forca policore të mbështetura nga mjete të posaçme, forca të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, forcave speciale RENEA, forca të FNSH-së së Fierit, Shkodrës dhe Tiranës, Delta Forcë në Vlorë, si dhe shërbime të tjera speciale të Drejtorive të Policisë së Qarqeve të tjera, si forcat elitë të shërbimeve të Tiranës, Shkodrës etj. Po ashtu janë rreth 60 automjete policie në lëvizje.
Në kuadër të këtij operacioni deri në këto momente janë arrestuar 13 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonjësve të policisë apo për shkatërrim prone.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Vandam Mahmutaj janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1363 kg hashash, 8500 rrënjë bimë narkotike, 1000 fishekë model 56, 225 gëzhoja model 56, 1 granatë dhe një armë pistoletë shenjëdhënëse, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh të llojeve të ndryshme.
Strukturat e Policisë së Shtetit gjatë ditëve të zhvillimit të këtij operacioni në Lazarat kanë mundësuar asgjësimin e rreth 80 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 12 ton e 800 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin.
Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni dhe armë.
Është ushtruar kontroll në territoret e mbi 80 banesave dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat, tokave përreth tyre dhe në tokat e komunës në territorin ku forcat e policisë kanë depërtuar në zonë.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





