Durrës, 19 qershor 2014 – Celularët janë gjithnjë një pre e mirë për hajdutët, të cilët gjuajnë rastin kur përdoruesit e tyre se kanë mendjen për t’ua marrë nga xhepat apo çantat.

Kohë pas kohe, qytetarë të ndryshëm, kryesisht të rinj, kanë denoncuar vjedhjen e telefonave të tyre mobilë nga persona të panjohur.

Por dy rastet e fundit të denoncuara në polici të bëjnë përshtypje jo vetëm për vendin ku është bërë vjedhja, por edhe sepse personat e grabitur kanë drejtuar gishtin mbi persona konkretë që kanë realizuar vjedhjen.  

Në dy ditët e fundit, dy femra kanë deklaruar në polici se u janë vjedhur celularët e tyre nga 2 meshkuj, njëri nga Durrësi dhe tjetri nga Tirana.

Mbi 20 vjeçarin Aurel Peci, policia e Durrësit ka nisur procedimin penal në mungesë, pasi sipas denoncimit të bërë nga një 21 vjeçare, A.D, nga Tirana, i riu durrsak i ka vjedhur celularin e markës “Mediacom” me vlerë 30.000 lekë, gjatë kohes kur vajza ka qenë në një lokal në lagjen nr.3 të qytetit bregdetar.

Procedim penal në mungesë ka nisur policia e Durrësit edhe ndaj shtetasit Skerdilaid Godo, 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi ai rezulton të jetë autori i vjedhjes së një celulari në një hotel në lagjen nr.9, në Durrës.

Sipas denoncimit të bërë nga shtetasja H.B., 57 vjeçe, 36 vjeçari Godo pasi ka fjetur në hotel ka vjedhur aty një telefon celular dhe më pas është larguar. Identifikimin e autorit të vjedhjes policia e bëri shumë shpejt, pasi ky i fundit ishte regjistruar në hotel.

20 vjeçari durrsak Aurel Peci dhe tiranasi Skerdilaid Godo u shpallën në kërkim nga policia për veprën penale të “Vjedhjes”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/