Brazil, 19 qershor 2014 – Kupa e Botës nisi në ngjitje për Anglinë dhe Uruguajin, që dolën të dyja të humbura nga 90 minutat e para, respektivisht me Italinë dhe Kosta Rikën. Por nëse disfata e “tre luanëve” mund të amortizohet disi nga emri i kundërshtarit, ajo e amerikano-jugorëve ka qenë e vështirë për t’u gëlltitur, aq më tepër që vendi amerikano-qëndror nuk kishte fituar asnjëherë ndaj uruguajanëve si në ndeshje zyrtare gjithashtu dhe në ato miqësore. Nëse mungesa e Luis Suarez mund të shërbente si justifikim, këtë herë nuk do të ketë më alibi për kampionët e “Copa America”, pasi sulmuesi i Liverpool do të jetë në fushë në “Arena Corinthias” të Sao Paolos duke propozuar dhe një sfidë brenda sfide me Wayne Rooney, që u kritikua jo pak pas përballjes me të kaltërit, pavarësisht se dha asistin për barazimin e Sturridge. Dy ekipet janë përballur me njëra-tjetrën dhe në Botërorin e 1966 në ndeshjen hapëse të kompeticionit, ku barazuan 0-0.
Interesant është fakti që dhe në atë turne dy skuadrat kishin në Grup një tjetër ekip të madh europian Francën dhe një amerikano-qëndrore, Meksikën, por në ndryshim nga 1966 ku të dyja siguruan kalimin në 1/8, këtë herë kualifikimi është i mundur vetëm për njërën prej tyre. Skuadra që do të dalë e fituar mund të shtojë ndjeshëm shanset e saj për të kaluar më tej, sidomos nëse ajo është Anglia. Sfida mes dy gjigantëve botëror do të luhet në orën 21:00 ndërsa takimi që do ta çel ditën do të jetë ai mes Kolumbisë dhe Bregut të Fildishtë, dy kryesueseve të Grupit C. Amerikano-jugorët në Brazilia do të kenë mbështetjen e tifozëve të shumtë por gjithashtu dhe përvojën më të madhe në një kompeticion të tillë. Temperaturat e larta dhe lagështira nuk duhet të jetë problem për asnjërën prej tyre duke qenë se janë ambientuar me të nxehtin, ndërsa është për t’u parë nëse Drogba do të luajë nga minuta e parë në ndryshimin nga ndeshja hapëse me Japoninë. Niponët do të kenë një finale të parakohshme me Greqinë në orën 00:00 ku ekipi që humbet mund të bëjë gati valixhet për kthimin në shtëpi. Grekët nuk ja kanë dalë mbanë asnjëherë të kalojnë përtej fazës së grupeve, ndërsa japonezët në vitin 2002 në Botërorin e shtëpisë, kanë të vetmin rast kur kanë mundur të sigurojnë një vend në 1/8 të turneut.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





