Tiranë, 19 qershor 2014 – Ndërsa në Lazarat, mes forcave të policisë dhe bandave po zhvillohet një luftë frontale me snajpera, kallashnikov dhe autoblinda, Sali Berisha ka kërkuar dje që të nisin hetimet ndaj policisë për prishjen e qetësisë në Lazarat.

Por sipas gazetës “Sot”, ajo që ia ka prishur qetësinë ish-kryeministrit është fakti se burime pranë grupit hetimor, policisë gjyqësore dhe forcave speciale, kanë prova të pakontestueshme për një komunikim të Sali Berishës me krerët e bandave të drogës në Lazarat.

Gjithçka është zbardhur pas arrestimeve të para të anëtarëve të kartelit të drogës dhe sekuestrimit të telefonave të tyre. Sipas gazetës “Sot”, në telefonat e të akuzuarve për sulm të armatosur ndaj forcave të Policisë së Shtetit, është gjetur numri i Sali Berishës, janë konstatuar thirrje në drejtim të numrit të Sali Berishës, mesazhe etj., çka flet për një komunikim të dyshimtë të ish-kryeministrit me bandat në fjalë.

Po sipas burimeve, në telefonat e tyre janë gjetur edhe mesazhe të ish-kryeministrit Berisha, mesazhe të cilat pritet të zbardhen në ditët në vijim.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/