Tiranë, 19 qershor 2014 – Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Financave dhe Këshillit të Ministrave rishikimin e kontrates koncesionare për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit. Kontrata për skanimin në dogana ngarkon me 39 euro kosto shtesë çdo import malli me kontejnerë. Marrëveshja e koncesionit është nënshkruar në datën 10 prill 2013.
Sipas Autoritetit, Këshilli i Ministrave gjatë procedurës për dhënien e koncesionit nuk ka respektuar detyrimet e ligjit nr. 9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” pasi nuk kanë zbatuar detyrimin për të marrë vlerësimin e Autoritetit për këtë akt, që ka vendosur të drejta ekskluzive për ndërmarrjen “Rapiscan”.
Sipas studimit të bërë nga DHKPV dhe ekspertë të pavarur, më të dëmtuarit do të ishin importuesit e mesëm, ata që realizojnë 10-15 deklarata në muaj dhe që duhet t’u paguajnë koncesionarëve nga 390-585 euro në muaj.
Në vende të tjera, kostoja e shërbimit të skanimit nuk i kalon 16 USD për konteiner të skanuar në pikat tokësore të kalimit kufitar dhe kjo kosto rritet në rastet e skanimit në porte, por në asnjë rast nuk e kalon koston shqiptare prej 39 eurosh (ose 53,7 USD), që do të thotë rreth 70 % më të lartë se sa në vendet e zhvilluara.
Marrëveshja koncesionare, sipas vlerësimit nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, bie në kundërshtim me nenin 33 të MSA, një marrëveshje ndërkombëtare që prevalon mbi ligjet dhe aktet e tjera nënligjore sipas parashikimeve të nenit 116 të Kushtetutës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





