Tiranë, 19 qershor 2014 – Në korrik një qendër për kimioterapinë do të hapet në qytetin e Durrësit, ndërkohë që në fillim të vitit të ardhshëm, një e tillë do të hapet edhe në qytetin e Shkodrës. Ky fakt pohohet nga Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj i cili thekson se hapja e këtyre qendrave është për shkak të numrit në rritje të pacientëve të cilët po preken nga sëmundjet e rënda tumorale.
“Brenda muajit korrik do hapim shërbimin e kimioterapisë dhe në spitalin Rajonal të Durrësit dhe besoj që edhe brenda muajit shkurt 2015 edhe në spitalin rajonal të Shkodrës do të kemi shërbim kimioterapie. Kjo, në mënyrë që të mund ta ofrojmë shërbimin sa më pranë pacientëve, pasi janë pacientë që duan shërbim një herë në 3 apo katër javë”,- tha Beqaj.
Sipas tij, gjatë muajve të verës 10 mjekë onkologë do të fillojnë punë për herë të parë pranë spitaleve tona.
“Ne do të kemi mjekë onkologë pranë kirurgjive që janë në Tiranë, pranë klinikave kirurgjikale në QSUT, në dy maternitetet, në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe në spitalin e Durrësit, në mënyrë që të bëjmë një kuadër më të plotë përkujdesjesh për këtë grup sëmundjesh”,- ka pohuar Beqaj.
Hapja e këtyre dy qendra do të bëjë të mundur që pacientët të mos udhëtojnë drejt Tiranës për të kryer seancat e kimioterapisë, por këto do të mund t’i realizojnë në spitalin e Durrësit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





