Brazil, 18 qershor 2014 – Kombëtarja e Kilit është gati të sfidojë Spanjën, duke e ditur që kampionët në fuqi ndodhen nën presion të jashtëzakonshëm pas disfatës shokuese në takimin e parë me Holandën. Në Maracana, një tjetër sukses për kilianët, pas atij me Australinë, do të thotë avancim në raundin tjetër të Botërorit. Gjithsesi trajneri Jorge Sampaoli dhe mesfushori Marcelo Diaz presin një Spanjë më të fortë dhe më të përmirësuar pas asaj që pamë kundër holandezëve.

“Mendoj se kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme për ne dhe Spanjën sepse pa dyshim që çdo sfidë në Kupën e Botës është e rëndësishme. Lojtarët spanjollë kanë shumë eksperiencë dhe pres që të luajnë më mirë se në takimin me Holandën. Do të kemi një skuadër shumë të fortë për të mundur, është një nga më të mirat në botë”.

Ashtu si Sampaoli, edhe mesfushori i kilianëve pohoi se loja përballë La Roja është mjaft delikate për shkak të disa prej lojtarëve më të mirë të planetit që ndodhen në këtë skuadër. Për Marcelo Diaz, pak rëndësi ka për spanjollët nëse vijnë pas një disfate apo suksesi, pasi ata gjithmonë kërkojnë me vendosmëri vetëm fitoren. Në Maracana, theksoi në fund mesfushori i Baselit, edhe ekipi i tij do të luajë për të vendosur kualifikimin në raundin tjetër.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/