Brazil, 18 qershor 2014 – Detaje interesante dhe episode që mund të kenë kaluar pa u vënë re. Në një Botëror të madh si ky mund të ndodhë gjithçka, por jo çdo gjë kalon në sytë e tifozëve, të atyre që po e ndjekin live nga Brazili apo të tjerëve që e shikojnë nëpërmjet ekranit të televizorit. Ju sjellim 5 momentet interesante më të fundit dhe e nisim me disfatën shumë të hidhur për portugezët nga gjermanët e Low.

1. Mjaft sportiv trajneri i pancerave. Pas ndeshjes u përpoq të ngushëllojë sadopak kokëulurin Cristiano Ronaldo, por çfarë ishte duke bërë vallë përpara se t’i zgjaste duart? Komenti në këtë rast është i padobishëm sepse pamjet flasin vetë. Pasi pastron mirë hundët me dorën e djathtë trajneri gjerman ka tokur të njëjtën dorë me porugezin Ronaldo për ta ngushëlluar për humbjen e thellë.

2. Megalomania e Mario Balotellit ka shkuar në një tjetër nivel. Ndoshta i ekzaltuar nga goli vendimtar kundër Anglisë, sulmuesi i të kaltërve ka gjetur një mënyrë mjaft origjinale për të shtyrë ato pak minuta të lira gjatë grumbullimit me kombëtaren. Super Mario nuk ka pritur që të kapet mat nga paparacët, por e ka publikuar vetë bëmën më fundit. Faqet e Italisë në albumin e famshëm Panini i ka plotësuar të gjitha me foton e tij.

3. Një ide gjeniale nga një grup tifozësh vjen nga Gjermania. Kemi parë këto ditë stadiumin e Union Berlin të mbushur me divanë e kolltuqe, ku çdokush mund të ndjekë ndeshjet e kombëtares nëpërmjet ekraneve gjigante, por diçka tjetër e veçantë është realizuar në një fshat pranë Frankfurtit. 11 tifozë, miq prej vitesh me njëri tjetrin kanë ndërtuar një mini seksion stadiumi, me konstrukt druri e stola plastik, që i ka kushtuar 50 Euro secilit.

4. Për fat të keq, spektaklit të Botërorit nuk i kanë munguar edhe lajmet tragjike dhe një i tillë vjen nga Kina. Një tifoz 25-vjeçar, entuziast në maksimum për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës, qëndroi për dy ditë e dy netë pa gjumë dhe për pasojë humbi jetën. Djali u gjet i shtrirë përpara televizorit, pak orë pasi kishte përfunduar takimi Spanjë-Holandë, rreth orës 5 të mëngjesit në Kinë. Sipas mjekëve, 25-vjeçari mund të ketë pësuar atak në zemër për shkak të pagjumësisë.

5. E mbyllim këtë paradë çudirash me humbjen e çante shpine jo të zakonshme. Një tifoz meksikan, i cili para se të luhej takimi i parë me Kamerunin, harroi në autobus çantën ku kishte biletat shumë të kushtueshme të disa ndeshjeve, si dhe portofolin me para dhe karta krediti. Canta u gjet nga një infermiere braziliane e cila gjetjen e të zotit e ktheu në një sfidë personale, duke kontaktuar kompanitë e kartave të kreditit, deri në momentin që arriti të lidhet me të dashurën e meksikanit.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/