Angli, 18 qershor 2014 – Pas bumit në Angli me Mançester Junaited, nuk duket e largët dita që Adnan Januzaj të zhvendoset brenda kufijve të Europës për të shfaqur talentin e tij në një tjetër kampionat të madh. Spanja mund të jetë destinacioni i ardhshëm dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë ekip të dorës së dytë, por për Realin e Madridit, kampionin në fuqi të Europës dhe një nga skuadrat më të mëdha të botës.

Ndërkohë që Januzaj ndodhet me Belgjikën për Botërorin e Brazilit, lajmet për të ardhmen e tij kanë si pikë burimi Spanjën, me të përditshmen Marca që aludon se 19-vjeçari mund të shndërrohet në një “El Blanco”, raporton Sport News. Luis Van Gal, trajneri i ri i Mançester Junaited, po mendon të bëjë investime të fuqishme gjatë merkatos, por në të njëjtën kohë është i gatshëm të pranojë humbjen e një prej yjeve më të ndritshëm.

Planet e holandezit duket se ecin në sinkronë me madrilenët, të cilët e shikojnë si një investim strategjik blerjen e Januzaj dhe madje paratë nuk do të kurseheshin për lojtarin e përfaqësueses belge. Super performancat e talentit të ri janë ndjekur gjatë gjithë sezonit me mjaft interes nga Reali dhe admirimi për të mund të konkretizohet me një ofertë prej 33 milionë paund në adresë të Junaited. Shifra është vërtet tunduese. Tani i takon teknikut Van Gal të vendosë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/