Tiranë, 18 qershor 2014 – Komisioni i Ligjeve ka çertifikuar dje ministrin e Financave, Shkëlqim Canin si të paaftë. Ky komision ka kthyer dje mbrapsht ligjin për Kodin Doganor. Gjatë shqyrtimit të projektligjit në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, kreu i këtij komisioni Fatmir Xhafaj dhe deputeti Bashkim Fino kanë deklaruar se shumë nene të këtij ligji duhen rishqyrtuar pasi janë të komplikuara e janë marrë shabllon nga shtete të tjera dhe kjo sjell hapësira për korrupsion.

Po ashtu, Xhafaj ka ngritur një sërë pyetjesh për zv/ministrin e Financave, Ervin Mete.

“Nuk mund të ekzistojnë në logjikën normale. Ligji në shumicën e dispozitave është i përkthyer dhe gjatë përkthimit është bërë një përshtatje edhe me frymën e legjislacionit edhe me ligjet e tjera, por dhe me gjuhën e thjeshtë për t’u kuptuar dhe zbatuar”,tha Xhafaj.

Po ashtu, Xhafaj kërkoi prej përfaqësuesve të qeverisë thjeshtëzimin e gjuhës së përdorur në hartimin e kësaj nisme.

“S’kam asnjë kundërshtim që këtu të reflektohen direktivat dhe praktikat më të përparuara që ka BE-ja derisa ne duam që të integrohemi në BE, por kjo nuk do të thotë që direktivën e BE-së ta përkthejmë në një gjuhë shumë të ndërlikuar për operatorët shqiptarë”, theksoi Xhafaj.

Ndërsa deputeti socialist, Bashkim Fino, ngriti shqetësimin për faktin se nenet e kodit doganor nuk hyjnë në fuqi në të njëjtën kohë.

“Një gjë tjetër që hyn në 1 janari të 2015 dhe një tjetër në 2017, por kjo do krijojë problemin e zbatimit të kodit të atyre njerëzve apo vetë punonjësve doganorë”,pohoi Fino.

Nga ana e saj, opozita kërkoi që kodi doganor të mos diskutohet me procedure të përshpejtuar. Ndërkohë zëvendësministri i Financave, Ervin Mete, i pranishëm në komision për prezantimin e pr/ligjit “Kodi Doganor i Republikës së Shqipërisë’, deklaroi se ky kod do të sjellë lehtësira për bizneset. Mete theksoi se nisma synon lehtësimin dhe thjeshtimin e procedurave doganore dhe lufta kundër mashtrimit për t’iu përgjigjur zhvillimeve të tregtisë ndërkombëtare si dhe nevojave të operatorëve ekonomikë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/