Gjirokastër, 17 qershor 2014 – Është vetëdorëzuar në polici më i kërkuari i policisë në Lazarat, Gate Mahmutaj. Lajmi është konfirmuar nga vetë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri në Facebook.
“Dhe i 7-ti. Dorëzohet personazhi Gate Mahmutaj…Po u vjen rradha të gjithëve. Krenar për Policinë e Shtetit.”– shkruan Tahiri në Facebook.
Plot 800 forca policore nga Tirana, Gjirokastra, Fieri dhe Shkodra, po ashtu forcat RENEA, Delta Forcë dhe forcat speciale po avancojnë shtëpi më shtëpi për marrë nën kontroll situatën, pasi gjatë mbrëmjes kanë vijuar të shtënat e armëve pa pushim.
Forcat e policisë kanë ndërmarrë një operacion në Lazarat të Gjirokastrës që prej mbrëmjes të së dielës për asgjësimin e lëndëve narkotike. Efektivët kanë hasur në kundërshtimin me armë të një grupi personash, të cilët kanë qëlluar me mortaja e mitralozë, për të penguar operacionin. Por pas rezistencës, policia njoftoi asgjesimin e 11 mijë bimë kanabisi.
Policia e Shtetit bën të ditur se gjatë ndërhyrjes në Lazarat sot u gjet në një banesë një laborator përpunimi droge dhe po ashtu një sasi kanabisi.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





