Gjirokastër, 17 qershor 2014 – Policia u bën thirrje të gjithë personave që nuk janë nga Lazarati, të largohen nga ky fshat pasi mund të bëhen pre e sulmeve nga grupet kriminale për qëllime të caktuara.
Apeli i policisë vjen pas dy rasteve të veçanta të plagosjes së dy barinjve, të cilët nuk rezultojnë nga Lazarati, por të punësuar aty. Policia dyshon se persona të tillë mund të bëhen shënjestër e grupeve kriminale që veprojnë në fshat dhe po i bëjnë rezistencë policisë.
Rreth orës 16:00 nga të shtënat e grupit kriminal në brendësi të fshatit Lazarat, ka mbetur i plagosur në dorë dhe në këmbë shtetasi D.R., vjec 19, nga Ura Vajgurore, bari. Ky shtetas ka marrë mjekimin e nevojshëm pranë spitalit të Gjirokastrës dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, rreth orës 17:30, nga të shtënat e grupit kriminal në brendësi të fshatit Lazarat, ka mbetur i plagosur në bark një 20 vjeçar, nga Pogradeci, i cili pas mjekimit në spital rezulton jashtë rrezikut për jetën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






