Tiranë, 17 qershor 2014 – Përplasje për pronën mes këngëtares Rovena Dilo dhe ish-deputetit Ndriçim Babasi dhe deputetit aktual të Partisë Socialiste të rrethit Shkodër Tom Doshi.

Mëngjesin e së martës, disa punonjës të një policie private kanë zënë derën e lokalit të Rovena Dilos, që ndodhet në zonën e ish-bllokut, duke mos lejuar stafin të hyjnë brenda. Ky vendim i policisë private, sipas këngëtares, është dhënë nga ish-deputeti Ndriçim Babasi dhe deputeti Tom Doshi që pretendojnë se janë pronar të truallit ku këngëtarja Dilo ushtron aktivitetin e barit te saj. 

Të ndodhur në këto kushte, këngëtarja i është drejtuar policisë duke denoncuar dhunimin e pronës së saj, ndërsa ish-deputeti Babasi e Doshi pretenduan se trualli është blerë tashmë nga ata. Me çertifikatë në dorë, Babasi dhe deputeti Doshi kërkuan lirimin e pronës, duke pretenduar se prona është e tyre dhe këngëtarja duhet të largohet nga ambientet e këtij trualli. Vendimi i tyre, u kundërshtua nga këngëtarja e cila iu drejtua policisë ku edhe ka bërë kallëzimin penal.

Sipas policisë, rezulton se trualli ku ushtron aktivitetin këngatarja Dilo është në pronësi të dajës së saj, Agron Vreto. Ky i fundit pa miratimin e motrave, të cilat kanë pjesën takuese në këtë sipërfaqe, e ka shitur truallin tek ish-deputeti Babasi e Doshi. Këngëtarja Dilo, nga ana tjetër pretendon se edhe nëna e saj ka një pjesë të kësaj sipërfaqe, ndërsa vet ajo ka ngritur biznesin sipër kësaj prone, për të cilën duhet të dëmshpërblehet gjithashtu.

Deri në sqarimin e kësaj situate, policia e rendit ka larguar policine private, duke kërkuar nga këngëtarja dhe ish-deputeti Babasi që të sqarojnë mes tyre këtë mosmarrëveshje. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/