Durrës, 17 qershor 2014 – Kryeparlamentari Ilir Meta, pas dobësimit të madh që pësoi vitin e kaluar, duket se ka nisur të jetë mjaft i apasionuar pas modës. Ndërsa vite më parë, kur ishte kryetar i bashkisë së Tiranës, ishte Edi Rama që shquhej për larmishmërinë e kombinimeve në ngjyra përsa i përket veshjes, tashmë duket se është Meta ai që ka nisur të shfaqet me një stil trendy. Ndërsa Rama i qëndron rigoroz veshjeve zyrtare, duke i harruar pantallonat ngjyrë portokalli, kryeparlamentari Meta shfaqet më rinor dhe po orientohet drejt stilit casual.
Shumë prej atyre, që ishin të pranishëm sot gjatë përurimit të dy bizneseve të reja në Durrës, nuk i shpëtoi ky detaj i ri në veshjen fashion të kreut të Kuvendit. Xhaketë ngjyrë tulle, pantallona blu elektrik dhe këmishë e bardhë. Por pavarësisht vëmendjes së mori përsa i përket veshjes së tij, Meta nuk harroi për asnjë moment se për çfarë kishte ardhur sot në Durrës.
Ai mori pjesë në përurimin e dy bizneseve të reja në qytetin bregdetar. Si fillim, ishte i pranishëm në hapjen e një reparti të përpunimit të çantave prej kartoni, një investim ky gati gjysmë milionë euro, që mundëson hapjen e 60 vendeve të reja pune vetëm në fazën e parë. Sipas planit të biznesit pritet të hapen në total 350 vende të reja pune. Kjo iniciativë ndihmon edhe në mbrojtjen e mjedisit, duke përdorur materiale të riciklueshme.
Më tej, Kryetari i Kuvendit ishte i pranishëm edhe në përurimin e fermës së agroturizmit në Rrashbull, ku janë investuar rreth 4.5 milionë euro dhe janë punësuar 40 persona. Ferma është ndërtuar sipas modeleve izraelite, që janë të famshëm në botë për agroturizmin.
Në shenjë simbolike, z. Meta vuri tullën e parë të kompleksit multifunksional që pritet të jetë gati brenda tre viteve si edhe mbolli një fidan ulliri. Duke folur gjatë aktivitetit, kryetari i Kuvendit deklaroi se agroturizmi ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim në vendin tonë dhe se është një mundësi e mirë për punësimin dhe për zhvillimin e produkteve bio.
“Unë dua të uroj z.Bujar për këtë investim dhe të falënderoj ambasadorit izraelit për idenë që ju ka dhënë dhe për eksperiencën në këtë fushë. Agroturizmi ka një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillim në vendin tonë. Është një mundësi shumë e mirë për punësim, për zhvillimin e produkteve 100 për qind bio, ku ne mund të jemi tepër konkurrues si edhe është tërheqës për turistët vendas dhe të huaj, por edhe për punësimin. Mezi presim që të kalojnë tre vite, jo thjesht për ta inauguruar këtë kompleks, por për të pushuar për një fundjavë”,u shpreh z. Ilir Meta.
Ndërsa, Ambasadori i Izraelit në Tiranë, David Cohen ka përgëzuar investitorin vendas për idenë, si edhe ka premtuar mbështetje në zhvillimin e agroturizmit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





