Durrës, 17 qershor 2014  – Botërori Brazil 2014 ka pak që ka nisur dhe të gjithë janë përfshirë nga ethet e tij. Nga pasioni për të ndjekur ndeshjet dhe për të bërë tifo për ekipin e zemrës nuk bëjnë përjashtim as politikanët durrsakë. Megjithë angazhimet e tyre, ata pranojnë që janë munduar t’i ndjekin ndeshjet e këtij kampionati botëror, pasi emocionet që ai të fal janë të rralla sepse përjetohen një herë në katër vjet.

“Dyrrah” ka kontaktuar me një pjesë të madhe të deputetëve dhe zyrtarëve vendorë për të mësuar se cili është ekipi i tyre i zemrës në këtë botëror.

Duket se Gjermania është ekipi më i preferuar nga një pjesë e madhe e politikanëve të qytetit bregdetar, madje vlen të theksohet fakti se ai preferohet mjaft nga femrat politikane. Kështu ministri i Mjedisit, Lefter Koka dhe deputetet durrsake Albana Vokshi, Klodiana Spahiu dhe Esmeralda Shkjau kanë ekipin e zemrës pikërisht formacionin e Joachim Loew. Tifoz i zjarrtë i formacionit gjerman është edhe prefekti i Durrësit, Rolant Xhelilaj, që shprehet se nuk lë ndeshje të tyre pa parë. Ai prej shumë vitesh e ndjek rregullisht Gjermaninë në të gjitha përballjet qofshin ato për Kampionatin Boteror apo atë Europian, por edhe ato në fazen e kualifikimeve në grupe. Deputetja Spahiu e pranon se nuk i ndjek rregullisht ndeshjet e këtij kampionati botëror për shkak të angazhimeve të shumta, por e gjen kohën për t’iu bashkuar burrit dhe djalit të saj në momentet kur Gjermania zbret në fushën e lojës.

Brazili, 5 herë kampionia e botës, është një tjetër ekip për të cilin bëjnë tifo shumë politikanë dhe zyrtarë vendorë. Deputeti i PR, Agron Duka, ai i PD-së Gent Strazimiri apo drejtori i APD, Selim Belortaja janë tifozë të thekur të ekipit të Scolarit. Pavarësisht fitores së shumëkontestuar ndaj Kroacisë, ata janë të bindur se Brazili në fund do të jetë ekipi që do të seleksionojë Kupën e rradhës të Botës.

Një gjë interesante që konstatuam gjatë hulumtimit tonë ishte fakti se pavarësisht se të pozicionuar në kahe të ndryshme të politikës, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako dhe kreu i degës së PD-së vendore Igli Cara ndanin të njëjtin pasion përsa i përket tifozerisë. Si Dako ashtu edhe Cara mbështesin fuqishëm Hollandën dhe pas paraqitjes mjaft të mirë që tulipanët bënë para kampiones në fuqi, Spanjës, ata shpresojnë se ekipi i tyre mund të realizojë gjëra fantastike në këtë botëror brazilian.

Ndërkohë, për kombëtaren e Tre Luanëve bëjnë tifo deputeti demokrat Oerd Bylykbashi dhe ai socialist Blendi Klosi. Në ndeshjen me Italinë, anglezët dolën të mundur nga fusha e lojës, por kjo s’do të thotë që shpresat për të ecur më tej janë shuar.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/