Itali, 17 qershor 2014 – Policia e qytetit të Katanias në Siçili arrestoi dy persona për trafik droge. Në bombulën e gazit GPL të makinës së tyre tip Alfa Romeo u gjetën 16 kg kanabis, të ambalazhuara në pako nga një kg secila. Automjeti i dy shqiptarëve ishte mbajtur nën vëzhgim, që në Leçe, ku kishin marrë drogën, që ishte pjesë e një super ngarkese kanabisi të mbërritur në qytetin italian nga Shqipëria me rrugë detare. Mbikqyrja ishte shtuar pas imbarkimit të tyre në tragetin Karonte (Caronte), që shërben për kalimin e ngushticës së Mesinës, që ndan Siçilinë nga pjesa tjetër e Italisë.
Darvin Kaleshi, 39 vjeç, mori vetë përsipër të gjithë përgjegjësinë për transportin e kanabisit, gjithsesi policia arrestoi në flagrancë edhe një 49 vjeçar, që gjendej me të në makinë. Pozita e Darvinit rëndohet edhe më shumë nga precedentët penalë, që ka ai, sidomos një dënim i mëparshëm për vrasje të qëllimshme.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





