Durrës, 17 qershor 2014 – Arrestohet nga policia e Durrësit biznesmeni durrsak Enver Shala. Ai ishte shpallur në kërkim rreth një muaj më parë, pasi gjykata e Durrësit pati dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenin  e sektorit të ndërtimit. Enver Shalës rreth 2 javë më parë, iu shemb një pallat 9-katësh, i ngritur në zonën e Shkëmbit të Kavajës, i cili figuronte të ishte ndërtuar pa leje.

Bashkë me Shalën, gjykata e Durrësit pati dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për kryeinspektorin vendor të komunës Rrashbull Fiqiri Dema, i cili u arrestua vetëm pak ditë pas vendimit të gjykatës.  

Mësohet se biznesmeni Shala është vënë në pranga në spitalin rajonal të Durrësit, ku ishte paraqitur për të kryer një vizitë mjekësore për shkak të shqetësimeve kardiake. Sipas bluve të Durrësit, arrestimi i 46 vjeçarit Shaba nuk ishte bërë i mundur deri tani, pasi biznesmeni nuk ndodhej në shtëpinë e tij.

Madje për t'i shpëtuar policisë, biznesmeni ka ndërruar edhe mbiemrin e tij nga Shala në Shaba. Në vendimin e datës 17 maj të gjykatës së Durrësit, biznesmeni Enver Shala akuzohet për “Ndërtim pa leje”, ndërsa kryeinspektori Fiqiri Dema për "Shpërdorim detyre". 

agjencia e lajmeve “Dyrrah”/