Durrës, 17 qershor 2014 – Kërcënohen me jetë përmes telefonit nga persona të tyre të afërt. Kjo u ka ndodhur gjatë të henës dy grave, që janë kërcënuar nga kunata dhe dhëndri për shkak të konflikteve familjare.

Megjithëse ndodhet prej kohësh në Itali, shtetasja Z.Sh., 56 vjeçe, banuese në fshatin Rrushkull, nuk ka nguruar të kërcënojë përmes një telefonate, kunatën e saj, 43 vjeçaren L.Sh. Kjo e fundit është telefonuar nga motra e burrit të saj, mesditën e së hënës dhe pasi është kërcënuar me jetë ka vendosur të bëjë denoncim në polici për këtë çështje.

Të njëjtën gjë, ka bërë edhe një 59 vjeçare, e cila është kanosur gjatë një bisede telefonike nga dhëndri i saj, 49 vjeçari S.Xh., banues në Sukth.  

Efektivët e rendit kanë plotësuar menjëherë Kërkesë-Padinë për Lëshimin e Urdhërit të Mbrojtjes së Menjëhershme për 59-vjecaren, ndërkohë që kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për emigranten që kërcënoi kunatën e saj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/