Tiranë, 16 qershor 2014 – Në listën e personave, që sipas policisë kanë qëlluar me armë në drejtim të forcave të rendit në Lazarat, është përfshirë edhe emri i djalit të deputetes socialiste Luiza Xhuvani. Për ‘News24’, Kostandin Xhuvani deklaroi se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjet e ndodhura në Lazarat, duke theksuar se ka prova që vërtetojnë se mbrëmjen e djeshme ai ndodhej në kryeqytet. Sipas Xhuvanit, emri i tij në listë mund të jetë përfshirë gabimisht. Ai thotë se mbrëmjen e djeshme ka ndjekur ndeshjet e futbollit në një lokal tek ‘Piazza’, dhe përveç kamerave të sigurisë ka edhe një skedinë fituese që vërteton se ai ndodhej në Tiranë.
“Unë kur e pashë emrin u shqetësova. Nuk e kuptova pse ndodhi. Si tifoz i sportit kam qenë duke parë ndeshjen në një lokal tek ‘Piazza’, në një ambient me kamera. Kam luajtur edhe një skedinë. Edhe sot jam në shtëpi. Nuk e di fare për çfarë ndodhi kjo. Mbase është një lapsus, një gabim. Por unë nuk kam lidhje me këtë histori do tu lutesha mos të më përmendnin. Nuk kam asnjë lidhje me Lazaratin. Nuk më lidh asgjë me atë vend aty. Nuk kam përse të paraqitem në komisariat. Kam prova që jam këtu në Tiranë. Besoj do jetë ndonjë ngatërresë, apo gabim nuk e di. Unë nuk kam lidhje fare me emrin në listë dhe as me Lazaratin. Kam venë skedinë rreth orës 4 të drekës, e kam dhe skedinën me vete, rreth orës 10:00 të mbrëmjes se djeshme kam qenë tek ‘Piazza’ në një lokal që ka kamera. Eshtë thjesht një gabim. Nuk kam të bëj fare me Lazaratin apo Gjirokastrën. Nuk njoh askënd atje”– deklaroi Kostandin Xhuvani.





