· Flamur Kuçi: Administrata e Bashkisë së Tiranës është çyryk, shkaktare kryesore e humbjes së thellë në Tiranë në qershor 2013
· “Ata që e njohin (qofshin këta miq, përfshirë këtu edhe artikullshkruesin, apo armiq të kryetarit të ri), nuk vënë dot asnjë bast mbi karizmën” e Lulit
DURRËS, 16 qershor 2014 – “Fatkeqësisht, Lulin [z. Lulzim Basha – “Dyrrah”-u] nuk e njohin si një njeri të fjalës së dhënë e aq më pak asaj të mbajtur”, akuza bëhet e rëndë se nuk vjen nga mazhoranca, por nga z. Flamur Kuçi, ish-këshilltar i z. Sali Berisha.
Madje, në një artikull në të përditshmen “Shqip” z. Kuçi nuk e përmend asnjëherë me emër e mbiemër të plotë kryetarin e PD-së, z. Lulzim Basha, por thjesht si Lul.
Madje komentuesi thellon akuzat për z. Basha, të cilin “nuk e njeh njeri as edhe si ndjekës deri në fund i betejave, të paktën i atyre politike. Fatkeqësisht, shembulli i Bashkisë së Tiranës (që duhet të ishte kapitali më i rëndësishëm politik i tij dhe i PD-së) provoi lënien përgjysmë të një beteje politike që duhet të ishte kali i fitores së 2013-s, por që u kthye në një çyryk bashkie me një çyryk administrate, shkaktare kryesore e humbjes së thellë në Tiranë”.
Këtë vlerësim kaq të skajshëm nuk ia kanë bërë z. Basha as oponentët kokëfortë në partinë që drejton.
Kuçi nuk përton as të stigmatizojë lëvizjet e fundit të Lulit: “Madje edhe aksioni politik i kryetarit të ri, i ngjan një gjelle, që po mos të ketë as piperin e liderit historik [është fjala për z. Sali Berisha – “Dyrrah”-u], mbetet pa kripë dhe pa shije”.
Ndërkaq konfidenti i z. Berisha konstaton se, “me gjithë zhgënjimin masiv të njerëzve ndaj Rilindjes, me gjithë kontrollin mediatik, me gjithë blogjet e pilotuara, me gjithë opinionistët e sponsorizuar, Luli fatkeqësisht nuk po e ngre dot [PD-në]”.
Kuçi duket se bën diversion të maskuar në emër të z. Berisha, kur shkruan se Luli nuk po e ngre dot PD-në, duke i cilësuar koordinatorët me ndajshtimin pejorativ sinonim aksionist: “e thonë mbështetësit e tij, e thonë edhe armiqtë e tij. Por çka është më e rëndësishmja e thonë anëtarët e thjeshtë, ata që në fakt janë aksionarët e vërtetë të PD-së, aksionarët të cilëve Luli u dërgon ‘aksionistët / koordinatorët’ për t’i ringritur”.
Me sa duket, kemi të bëjmë me një sulm ballor për rrëzimin e z. Basha si një “kurban” për të ringritur PD-në.
“Ata që e njohin (qofshin këta miq, përfshirë këtu edhe artikullshkruesin, apo armiq të kryetarit të ri), nuk vënë dot asnjë bast mbi karizmën” e Lulit, nënvizon kolumnisti.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





