Tiranë, 16 qershor 2014 – Kryeministri Rama i dha sot një shuplakë të fortë sistemit të drejtësisë, gjatë prezantimit të aplikacionit të ri kundër trafikimit të qenieve njerëzore, duke deklaruar se do të nisë një ofensivë për të shporrur nga ky sistem të gjithë gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, që lirojnë kriminelë, të cilët marrin sërish jetë njerëzish. Këta gjykatës e prokurorë përbëjnë Lazaratin real, prandaj ofensiva që pritet të nisë do zgjasë deri në normalitet. 

“Nuk ka asnjë shans që t’i lëmë gjeneratës tjetër vend të denjë, nëse si lëmë një sistem drejtësie të denjë. Përgjegjësia bie mbi ata që janë brenda strukturës së sistemit gjyqësor, nuk do të mbyllim sytë dhe as nuk do të ngremë duart përpjetë duke parë se si vepron sistemi i drejtësisë. Duke parë që njerëzit vriten ditën për diell nga njerëz të arrestuar dhe të liruar përsëri. Fatkeqësi që kriminelët, vrasësit dhe dhunuesit janë në gjendje të lirë dhe kryejnë ende krime, vetëm për një arsye se kanë korruptuar gjykatës që s’kanë asnjë lidhje me drejtësinë. Kjo është përtej mundësive për të qëndruar. Nuk mundet, që nën ombrellën e pavarësisë këta gjykatës të marrin jetë njerëzish të pafajshëm, janë bashkëfajtorë dhe bashkë vrasës sa herë që një i pafajshëm humb jetën, dhe sa herë një vajzë trafikohet apo dhunohet nga njerëz të liruar prej tyre. Është e kotë që ne të shohim gishtin kur gishti tregon hënën. Ne mund të bëjmë konferenca, aksione dhe çdo gjë tjetër, çdo ligj në parlament por ne duhet të bëjmë betejën që duhet. Të shporrim gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar që marrin jetë njerëzish në bashkëpunim me kriminelët. Nuk do të rrimë duarkryq, ofensiva do të fillojë dhe nuk do të ndalet deri në normalitet”,-tha Rama.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/