Francë, 16 qershor 2014 – Vetëm 3 fjalë: Schumi është zgjuar! Kështu e ka nisur artikullin më të bujshëm sportiv prestigjiozja gjermane “Bild”, menjëherë pas deklaratës zyrtare të menaxheres së tij Sabine Kehm, disa minuta më parë, teksa Michael Schumacher është transferuar së fundi nga Spitali Universitar i Grenoble-s, në Francë, drejt një klinike rehabilitimi. 

Ish-kampioni i Botës në Formula 1 nuk është më në koma. Faza e zgjimit, që menaxherja e tij Kehm njoftoi në deklaratën e fundit të saj në fillim të Prillit, duket se zgjati shumë më tepër nga sa pritej. Por, e rëndësishme është që Michael Schumacher mund të dëgjojë zëra dhe mund t’i përgjigjet prekjeve.

Michael është larguar nga spitali i Grenoble-s, për të vazhduar kështu periudhën e gjatë të rehabilitimit, pasi tashmë nuk është më në koma.

Ndërkohë, e ardhmja duket se do të jetë disi e panjohur, pasi vet familja kërkon mirëkuptimin e të gjithëve, në mënyrë që rehabilitimi i mëtejshëm i tij të kryhet jashtë prezencës së publikut. Schumi u rrëzua më 29 Dhjetor 2013 në Alpet Franceze, në Meribel, teksa bënte ski. 

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/