Tiranë, 14 qershor 2014 – Në Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut kryeministri Rama ka vendosur t’ju vijë në ndihmë personave në nevojë, duke dhuruar gjak. Mësohet se në këtë nismë, kryeministri është mbështetur edhe nga stafi i tij në Kryeministri.
Kështu, holli protokollar i Kryeministrisë u shndërrua në një ambient ku është dhuruar gjak. Kryeministri Rama apeloi që të gjithë qytetarët të dhurojnë gjak, duke e vlerësuar si një detyrim të të gjithëve, në ndihmë të njerëzve në nevojë.
“Duke qenë një dhurues gjaku i hershëm, – një traditë që ne e ndërtuam në Bashkinë e Tiranës për shumë vite, – besoj shumë se ky është një detyrim i të gjithëve. Të gjithë duhet ta dinë se jo vetëm nuk ka asnjë problem, por përkundrazi, bën mirë. Pra, jo vetëm bëjmë mirë, por edhe na bën mirë”,- u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu, Rama siguroi se nga sot, dhurimi i gjakut do të kthehet në traditë të përvitshme për institucionin e Kryeministrisë.
“Në ketë holl të Kryeministrisë, ne do ta çelim këtë traditë nga sot dhe çdo vit do ta bëjmë traditë dhurimin e gjakut. Sepse, në fund të fundit, kjo Kryeministri boll ia ka bërë gjakun ujë popullit dhe është koha tani që të japë gjak nga këtu dhe jo më të derdhë gjak”, – vijoi Kryeministri.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





