Durrës, 14 qershor 2014 –  Anija me flamur tanzanian ‘Era 1’ është zhvendosur sot nga kalata nr. 5 ku qëndronte e bllokuar drejt kalatës lindore. 

Drejtori i drejtorisë detare në Durrës, Gazmir Tahiri deklaroi se marinarët mbetën në mëshirë të fatit nga kompania që i kishte marrë në punë. 

“Anija nuk mund të qëndrojë pa zot. Është situatë e vështirë sepse anija ka rrezik dhe mund të mbytet gjë që do t’i kushtonte shpenzime kolosale portit”, tha ai. 

Ndërkohë, një ditë më parë, dy marinarët e mbetur në mëshirë të fatit, apeluan që të kthehen në Krime. Ata paralajmëruan që do të hyjnë në grevë uri nëse nuk kthehen në shtëpitë e tyre.

2 marinarët, pjesë e ekuipazhit të anijes “ERA 1”, e bllokuar nga Antikontrabanda dhe Prokuroria shqiptare ndihmohen vetëm nga punonjësit e policisë portuale, apo avokati i kompanisë, të cilët herë pas here u sjellin ushqime dhe ujë. 

Dy marinarët Oleg Suvarov dhe Igor Malcev i bëjnë apel autoriteteve shqiptare t’i kthejnë në Krime, në shtëpitë e tyre. Në anijen “ERA 1” u sekuestruan 47 ton cigare kontrabandë, ndërsa kapiteni i anijes ndodhet pas hekurave, pasi Gjykata e Durrësit vendosi ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/