Tiranë, 14 qershor 2014 – Gjykata e Krimeve të Rënda, në seancën e zhvilluar ditën e sotme, ka vendosur masën e sigurisë arrest me burg ndaj kolumbianit 36 vjeçar Cesar Augusto Pelaez Luiz Triana.
Triana akuzohet si i implikuar në trafik droge, pasi dyshohet se do të merrte pagesën prej 1 milionë eurosh për sasinë e 250 kg kokainë në anijen me destinacion Shqipërinë, të kapur pak ditë më parë në Mal të Zi.
Në seancën gjyqësore të zhvilluar sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda në kryeqytet, është dhënë masa e sigurisë arrest me burg. Seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura dhe pa praninë e medias pas kërkesës së përfaqësuesve diplomatikë të Ambasadës së Spanjës, të cilët ishin të pranishëm në seancë.
Gjatë seancës, kolumbiani Triana i ka qëndruar të njëjtës dëshmi të dhënë për oficerin gjyqësor ku ka pranuar se kishte ardhur në Shqipëri për të marrë pagesën prej 1 milionë eurosh për kokainën e kapur, ndërsa paratë do të kalonin me bankë në Spanjë.
Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i të akuzuarit, është shprehur se do të apelojë vendimin, pasi sipas tij merren për bazë vetëm deklaratat e klientit të tij, pasi nuk ka fakte konkrete për veprimtarinë e tij.
Kolumbiani 36 vjeçar kishte ardhur në Tiranë 23 ditë më parë për këtë pagesë. Triana ka shtuar se transfertën me bankë në Spanjë do ta bënte një person tjetër i cili do të vinte në Shqipëri, ndërsa vetë kolumbiani do të mbante paratë deri në momentin e transfertës, ku nga sasia e tyre do të paguhej 200 mijë euro.
Kolumbiani 36 vjeçar Triana u arrestua në Rinas më 9 qershor në tentativën për të lënë Shqipërinë. Ndërkohë më 4 qershor u sekuestrua sasia e 250 kg kokainë në fundin e një kontenieri në një anije e cila transportonte banane për llogari të firmës fierake “Rrapo Kompani”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





