Durrës, 14 qershor 2014– Tashmë sesoni turistik sapo ka filluar në Durrës dhe në gjithë Shqipërinë. Kryeministri Rama dhe ministra të ndryshëm si Eglantina Gjermeni, Erion Veliaj apo Saimir Tahiri disa herë janë marrë me turizmin në aktivitete të ndryshme në Durrës dhe në disa lokacione të tjera turistike. Fatkeqësisht gjithë propaganda turistike “Rilindase “, madje edhe artikuj relativisht pozitivë në media prestigjoze neutralizohen apo u ulet vlera shumë, kur antireklama turistike për Shqipërinë në përgjithësi, dhe Durrësin në veçanti, bëhen nga organe mediash sa prestigjoze aq edhe të specializuara.
“National Geographic”, media lider në llojin e saj në shkallë globale, në një artikull të saj të tipit divulgativo – shkencor trajton ndotjen e deteve dhe oqeaneve nga mbetjet e materialeve plastike. Si ilustrim të këtij artikulli përdoren dy foto. Njëra foto është shkrepur në Filipine dhe tjetra në Plazhin e Durrësit.
Jo më kot ka dalë shprehja, që një foto flet më shumë se 1 000 fjalë. Fotoja, që po botojmë është ajo e “National Geographic”. Me botimin e kësaj foto bëhet shumë e vështirë që turistët seriozë perëndimorë të vijnë në Durrës, në një plazh kaq të ndotur. Për të zbutur efektin e kësaj fotoje do duhet shumë propagandë, shumë investim në marëdhëniet me publikun, madje edhe nga firma të specializuara si ajo që fitoi tenderin e Qeverisë Shqiptare.
Një foto si kjo e plazhit të Durrësit i krijon probleme dhe mjeshtrave të propagandës (spin doctors), si puna e Alastair Campbell-it të Toni Blerit, tashmë familjarisht të paguar nga qeveria Rama.
/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





